Diplomat e Kristalit, Ministria: Nuk është regjistruar asnjë e falsifikuar. Universiteti refuzoi të dorëzojë regjistrat

07/03/2018 17:16

Ministria e Arsimit mohon kategorikisht se ka regjistruar diploma të falsifikuara nga Universiteti Kristal pas mbylljes së tij në vitin 2014.

“Ministria e Arsimit refuzon kategorikisht aludimet se ka regjistruar diploma të falsifikuara që i përkasin institucioneve që janë mbyllur, pas verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në vitin 2014. Ju bëjmë me dije se nga 1 shtatori 2014, asnjë nga këto universitete nuk ka pasur të drejtë të lëshojë asnjë diplomë ndaj studentëve”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Sipas Ministrisë, Universiteti Kristal refuzoi që të dorëzojë regjistrat me emrat e studentëve.

“Universiteti “Kristal” nuk pranoi të dorëzojë regjistrat sipas kërkesës zyrtare. Pas kallëzimit që iu bë këtij universiteti për këtë shkelje të radhës, ndërhyri prokuroria dhe i sekuestroi regjistrat. Pas mbylljes së hetimeve nga prokuroria, regjistrat u depozituan në arkivin e Ministrisë së Arsimit”, vijon deklarata.

Që prej mbylljes së Universitetit Kristal, Ministria e Arsimit thotë se ka marrë në shqyrtim disa kërkesa për vlefshmërinë e diplomave.

“Institucione dhe individë të ndryshëm kanë kërkuar të dinë nëse diplomat që kanë marrë nga ky universitet janë të vlefshme apo të falsifikuara. Në Ministri kanë mbërritur kërkesa për këtë verifikim, por në 86 raste të shqyrtuara pas kërkesave zyrtare, rezulton se asnjë prej tyre nuk është e vlefshme dhe nuk figuron në regjistrat që ministria disponon”, mbyll reagimin e vet MAS.

Top Channel