PSG tregoi se paratë e shpenzuara nuk të shndërrojnë domosdoshmërisht në një skuadër fituese. Që nga viti 2011 e deri më sot, familja Al Thani që ka pronësinë e klubit parizien ka investuar 1 miliard e 115 milionë Euro në merkaton e transferimeve, duke blerë futbollistë të kalibrit Ibrahimovic, Cavani, Neymar apo Di Maria.
Sipas portalit të specializuar në merkaton e futbollistëve, ‘Transfermarkt’, pasivi në bilancin e klubit parizien në këto vite është 896 milionë euro. Blerja më e madhe ishte pikërisht ajo e Neymar verën e kaluar, për 222 milionë Euro për të treguar se PSG ishte i vendosur për të pushtuar Evropën. Brazilianit më pas iu bashkua edhe talenti Kylian Mbappe, për të cilin francezët pranuan që të paguajnë 180 milionë Euro, por edhe këto nuk mjaftuan.
Sigurisht në këto vite, PSG ka fituar trofe, por vetëm brenda kufijve të Francës; 4 tituj në Ligue 1, 3 Kupa të Francës, 4 Kupa të Ligës dhe 5 Superkupa të Francës. Në Evropë dështimi ka qenë total dha ia vlen të përmendim emrat e klubeve që e kanë eliminuar në 6 vitet e fundit në Ligën e Kampioneve, Barcelona në çerekfinale të 2013, 2015 dhe në 1/8 e finaleve të 2017, Chelsea në çerekfinale të 2014, Manchester City në çerekfinale të 2016 dhe Real Madrid në 1/8 e finaleve të 2018.
Janë 6 eliminime ndaj skuadrave shumë të rëndësishme që tregon një mungesë pjekurie dhe konsolidimi të kësaj skuadre, për të cilat i pari që do të paguajë do të jetë Emery.
Top Channel