Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un u tha të dërguarve të homologut të tij koreano-jugor se, vendi i tij është i gatshëm të nisë negociatat me Shtetet e Bashkuara lidhur me braktisjen e programit të tij të armëve bërthamore dhe se do të pezullojë madje çdo test atomik dhe raketor, për sa kohë që do të vazhdojnë të tilla bisedime.
Lajmin e përcjell “New York Times”, që citon një deklaratë të zyrës së kreut të shtetit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, ku thuhet se pala tjetër e shfaqi qartë vullnetin për denuklearizim.
“Ajo e bëri të qartë, – vazhdon deklarata, – se nuk ka arsye për t’i mbajtur armët atomike, nëse kërcënimi ushtarak ndaj Veriut eliminohet dhe nëse merr garanci për sigurinë e saj”.
Nëse të tilla pretendime vërtetohen edhe nga Veriu komunist, atëherë kjo do të jetë hera e parë që Kim Jong-un lë të kuptohet se qeveria e tij është e gatshme të diskutojë mundësinë e heqjes dorë nga armët nukleare, në këmbim të garancive të sigurisë prej Uashingtonit.
Qëndrimi i Penianit deri më tani ishte se, me armët e veta bërthamore nuk bën pazar. Retë e luftës mes dy Koreve janë davaritur ndjeshëm, që kur u dha sinjali i parë i çtensionimit të situatës gjatë Lojërave Dimërore, e tani retorikat e konfliktit thuajse janë harruar.
Gjatë vizitës dyditore të të dërguarve të Seulit në Penian, palët ranë dakord me zhvillimin e një takimi të nivelit të lartë mes Kim Jong-un dhe Moon Jae-in, i cili të mbahet në fund të muajit prill në kufirin e fortifikuar rëndë mes dy Koreve. Ky do të jetë i pari takim mes udhëheqësve të të dyja vendeve në më shumë se një dekadë.
Top Channel