Planet e Donald Trumpit për rritjen e tarifave të metaleve kanë shqetësuar edhe vet republikanët, ligjvënësi më i lartë i të cilëve i kërkoi presidentit amerikan të heqë dorë nga kjo ide.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan u shpreh “ekstremisht i shqetësuar” nga impakti i një lufte tregtare, që mund të cënojë sipas tij përfitimet ekonomike.
Ai nuk është i vetmi që e mendon kështu. Senatori Orrin Hatch shprehu më herët bindjen se do të jenë qytetarët amerikanë, ata që do të paguajnë pasojat e këtij veprimi, e këtë ide e mbështet edhe kolegu i tij, Ben Sasse, i cili thotë se “ky lloj proteksionizmi i shekullit të XVIII do të rëndojë mbi familjet amerikane”.
Por, nga vet kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk ka shenja tërheqjeje. “Nuk do të zmbrapsemi”, iu tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, ku po zhvillonte një takim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Dhe as nuk mendoj se ka për të pasur ndonjë luftë tregtare”, shtoi Trump, duke kundërshtuar kështu edhe njëherë veten dhe mesazhin që postoi në “Twitter”, kur thoshte se luftra të tilla janë të mira.
Javën e kaluar, numri një i administratës amerikane njoftoi planet për vendosjen e një takse prej 25% mbi importet e çelikut dhe 10% mbi ato të aluminit, por propozimi i tij nuk është paraqitur ende zyrtarisht.
Reagimi në tregjet e aksioneve ishte i menjëhershëm, ndërsa aleatët nuk nguruan të kalojnë edhe në kërcënime. Krerët tregtarë të bllokut europian lanë të kuptohet se mund të vendosin edhe ata tarifa prej 25% mbi rreth 3.5 miliardë dollarë importesh nga Shtetet e Bashkuara, duke shënjestruar xhinset “Levi”, motorët “Harley Davidson” dhe “Whiskey”-n amerikan.
Top Channel