Ndërhyrja në Siri, Rusia po përdor taktika për fshehjen e krimeve të luftës

06/03/2018 19:27

Forcat ajrore ruse kanë përdorur bomba të thjeshta në Siri, që sipas burimeve brenda OKB-së mund të jetë një përpjekje për të pasuar fajin e krimeve të luftës dhe viktimave civile tek aleati i Moskës, regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad.

Zyrtarë të OKB-së, duke ruajtur anonimitetin, i thanë gazetës britanike “The Guardian” se Moska po përdor bomba konvencionale dhe mjaft të pasakta, që kanë aftësi të ngjashme me ato të arsenalit sirian, në mënyrë që hetuesit për krime lufte ta kenë tej mase të vështirë identifikimin e përgjegjësve për viktimat civile.

Zakonisht në konflikte urbane si ai sirian përdoren bomba “inteligjente”, të cilat drejtohen nga një operator apo kompjuter për të pasur saktësi të lartë dhe për të shmangur sa më shumë viktimat civile.

Siria, me aviacionin e saj të vjetër përdor bomba të zakonshme, që thjesht bien nga forca e rëndesës dhe nuk kanë saktësi të madhe, diçka që po imitohet nga Rusia.

Moska ishte akuzuar më herët për përdorimin e municioneve të vjetra, por për çështje kostosh, kurrë për të fshehur krimet e luftës nga hetuesit.

Pretendimet e fundit hedhin dyshime mbi deklaratat ruse, se Moska sulmon vetëm militantët e terroristët, pasi me armatime të tilla kjo s’është e mundur. Nëse janë të vërteta akuzat, ngrihen pyetje të tjera për koston e sulmeve ruse mbi jetët civile, sidomos pas bombardimit të rëndë ndaj Aleppos dhe aktij aktual që vazhdon në zonën e Ghoutës Lindore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA