Ngjitja dhe rënia e universitetit “Kristal” ndodhi brenda pak vitesh. Në dhjetor të 2005 qeveria Berisha e licencoi, universitetin në pronësi të Ahmet Muçaj për tre fakultete Administrim Biznesi, Drejtësi dhe Stomatologji, ndërsa me kalimin e viteve u hap dhe një fakultet artesh.

Politikat stimuluese të qeverisë së atëhershme për arsimin privat dhe rrjeti i mëparshëm me shkolla jo publike në nivele më të ulta që Zoti Muçaj zotëronte e ndihmoi që shumë shpejt të rritej në tregun e arsimit të lartë, madje duke u renditur si universiteti i tretë privat më i madh në rang vendi.

Me kalimin e viteve u hapën mbi 50 programe mësimore të ciklit Bachelor dhe Master.

Sipas bilancit të fundit të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, që i përket vitit 2012 Universiteti “Kristal” vlente rreth 2 miliardë lekë, të ardhurat vjetore ishin mbi 500 milionë lekë, ndërsa bankat e kishin kredituar për 700 milionë lekë.

Në 8 vite që fuksionoi si institucion i arsimit të lartë, universiteti “Kristal” ka dhënë rreth 16 mijë diploma. Pagesa vjetore për një cikël studimi varionte nga 2 mijë deri në 3 mijë e 500 euro, për çdo student.

Fama për mënyrën se si u merrnin diplomat pranë këtij universiteti mbërriti deri në Itali. Skadali për marrjen e diplomës nga ana e djalit të ish liderit të Lega Nord Umberto Bossi, Renzo Bossi, zbuloi se si pa ardhur asnjëherë në Shqipëri dhe pa e njohur gjuhën shqipe ai u diplomua.

Në 2012 u bë pezullimi i parë i licencës për të hedhur dritë mbi këtë skandal, por më pas licenca u riaktivizua.

Në 2014 kur u mbyll me një vendim të qeverisë Rama pranë tij vazhdon studimet katër mijë studentë.

Pikërisht këtu filloi dhe rënia, studentët u shpërndanë në universitete të tjera, dhe “Kristal” përfundoi në dorë të bankave kreditore.

Top Channel