E ardhmja e rajonit është në Bashkimin Europian! Ky është mesazhi kyç i përmbledhur i turneut të shefit të Komisionit Europian në Ballkan, Jean-Claude Juncker.

Rrugëtimi i tij në rajon erdhi pak javë pasi organizmi që drejton prezantoi përpara Parlamentit Europian strategjinë e tij të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë vizitës që e çoi në Serbi, Maqedoni, Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Malin e Zi, e që u përmbyll me ndalesën në Sofje, Juncker përsëriti mesazhet e përcjella në strategjinë e prezantuar si dokument për integrimin e mëtejshëm të rajonit, me theksin e vendosur te rëndësia e vlerave europiane.

Edhe njëherë, udhëheqësi europian i mëshoi idesë së kapërcimit të pengesave përpara aderimit, e plotësimit të kritereve kyçe, siç janë lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, zgjidhja e mosmarrëveshjeve kufitare e pajtimi.

“Bashkimi Europian – bëri të qartë shefi i KE-së, – është i hapur për anëtarësime të mëtejshme, vetëm atëherë kur vendet t’i kenë përmbushur individualisht kriteret”.

Pavarësisht se strategjia i cilësonte Serbinë dhe Malin e Zi si kandidatët kryesorë në procesin e pranimit, Juncker u kujdes ta theksonte se viti 2025 është një datë e hapur për të gjitha vendet aspirante.

Nga ana tjetër, mes anëtarëve të bllokut ekziston shqetësimi për të mos e përsëritur afrimin e nxituar që ndodhi me Rumaninë dhe Bullgarinë në vitin 2007. Juncker, sidoqoftë e deklaroi hapur në fund se po kthehej në Bruksel me bindjen se Ballkani Perëndimor e ka vendin në zemër të BE-së.

Top Channel