I heqin nënshtetësinë “pa dashje”, duke mos lexuar gjeneralitetet në certifikatë

06/03/2018 20:48

Në redaksinë e “Fiks Fare” ka mbërritur një ankesë nga emigranti Gjergj Zef Kola, nga Shkodra, i cili jeton në Itali.

Ai është ankuar se, nga viti 2011 i kanë hequr nënshtetësinë shqiptare dhe nuk e di arsyen. Ai pohon se ka ardhur në Shqipëri për të rinovuar pasaportën dhe kur është paraqitur në komunë ka marrë vesh se i është hequr nënshtetësia.

“Më thanë drejtpërdrejt: Presidenti i Republikës me dekret të ka hequr nënshtetësinë! Por unë nuk e di fare përse ma ka hequr”, shprehet Kola.

Prej vitit 2000, Gjergj Zef Kola jeton në Itali, por pas një viti i skadojnë dokumentet. Në Itali ka ndërtuar edhe jetën e tij, ku ka një firmë të vetën, por që në Shqipëri nuk mund të vijë të takojë familjen e vet pikërisht prej këtij dekreti të dalë nga presidenti, përmes të cilit i kanë hequr nënshtetësinë.

Gazetarët e “Fiksit” u interesuan pranë Presidencës, ku brenda një kohe të shkurtër morën dokumentacionin e plotë lidhur me Gjergj Zef Kolën. Nga dokumentet del se, nënshtetësia nuk i është hequr Zefit që u ankua në “Fiks Fare”, por një tjetër personi me po të njëjtin emër nga Shkodra.

Dallimi ishte mjaft i thjeshtë. Gjergj Zef Kola, i cili u ankua në “Fiks Fare” është i biri i Liljanës, kurse personi tjetër është i biri i Gjystepinës, të cilit i është hequr shtetësia. Pra Gjendja Civile i kishte hequr nënshtetësinë dikujt tjetër, vetëm e vetëm se nuk u lexuan gjeneralitetet.

Duke parë gabimin e bërë, gazetarët iu drejtuan Gjendjes Civile në Bashkinë e Shkodrës, nga ku doli se dekreti me nr. 3994, datë 03 nëntor 2003 i presidentit, ishte zbatuar në vitin 2011 nga Zyra e Gjendjes Civile e Bashkisë së Shkodrës dhe nga Zyra e Gjendjes Civile e Njësisë Administrative Hajmel, Shkodër.

Nga problemi që ngriti “Fiks Fare”, më 1 mars 2018, nga kjo Zyrë e Gjendjes Civile janë kryer veprimet për zhbllokimin, për caktimin me shtetësi shqiptare të ankuesit, si një e drejtë që e gëzon dhe nuk ka kërkuar të heqë dorë prej saj.

Top Channel