Canelo Álvarez ka marrë në mënyrë të pabesueshme mbështetjen e dy institucioneve të rëndësishme të boksit, për t’u ndeshur sërish me Gennady Golovkin, pavarësisht se rezultoi pozitiv në një test antidoping.
Meksikani u zbulua se kishte në gjakun e tij substancën e ndaluar “clenbuterol”, por “djaloshi i artë”, siç është pagëzuar nga mediet, do të ketë mundësinë e revanshit pavarësisht kësaj.
“Ne do të ndjekim të njëjtën linjë që kemi aplikuar me boksierët e tjerë, që kanë rezultuar pozitiv me clenbuterol. Do të ndjekim protokollin dhe do të punojmë me komisionet e boksit, që të zbardhim këtë çështje. Por, me sa dimë për clenbuterolin dhe nga sa duket niveli i tij në teste, gjithçka lë të kuptohet se ka ardhur nga konsumimi i një ushqimi të pakontrolluar gabimisht”, tha Mauricio Sulaiman, president i WBC-së.
Sipas tij, Canelo Álvarez ka një “CV” të pastër për sa u përket substancave të ndaluara, e nuk mund të penalizohet për këtë test. Në të njëjtën linjë ishte edhe Federata e Boksit për kategorinë WBA.
“Clenbuterol”-i përdoret shpesh për të pasuruar ushqimin e kafshëve në Kinë dhe në Meksikë, për të rritur vëllimin. Futbollistët e Kombëtares meksikane në vitin 2011, në Kupën CONCACAF, u shfajësuan nga testi pozitiv, pasi u vërtetua se ishin helmuar nga ky lloj mishi.
Top Channel