E ndërtuar dikur si Qendër Shëndetësore për fshatin Bodin në Elbasan, godina u shkatërrua pa u vënë asnjëherë në funksion, pasi as mjeku dhe as infermieri këtu nuk erdhën kurrë.

Banorët e këtij fshati nuk e mbajnë mend herën e fundit kur zona ka pasur mjek, ndërsa në raste emergjencash, kur edhe rrugët bllokohen nga dëbora, u duhet të transportojnë të afërmit me barrela, apo me kafshë.

“Mund të kemi që në ’92 a ’91 që kemi parë një mjek këtu në fshatin tonë. Ne na është thënë që ka mjekë. Ne na duhet për fëmijët, që tani duhet të shkojnë patjetër në qendrën e Gracenit. Këtu ka vetëm infermierë, doktori nuk ka ardhur asnjëherë”, thonë banorët.

Banorët e Bodinit ndjehen mirënjohës ndaj veterinerit të fshatit, i cili në shumë raste u ka shpëtuar jetën, sidomos në rastet e pickimeve nga gjarpërinjtë.

“Na ka ndihmuar, na është gjendur në raste shumë të vështira, për të gjitha gjërat”, rrëfejnë banorët.

Megjithë infrastrukturën e vështirë, kjo zonë nuk është e pamundur. Mësuesit shkojnë çdo ditë dhe procesi mësimor zhvillohet normalisht, ndryshe nga stafi mjekësor që ka zgjedhur të mos shkojë, qoftë edhe një ditë në javë.

Top Channel