“Kokaina”, përplasje në Parlament. Hetimi i Tahirit në dorë të Palokës

05/03/2018 19:43

Pavarësisht se Edi Rama mungonte në Parlament, demokratët bashkuan forcat, për t’i faturuar Kryeministrit autorësinë e kokainës së kapur javën e kaluar në Durrës.

“Është ngarkesë e kapur në një linjë të ngritur e që funksionon pa ndërprerje që nga ardhja në pushtet e Edi Ramës”, deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Në mënyrë indirekte, Basha aludoi për përfshirjen në këtë trafik të klubit sportiv Partizani dhe vëllait të Kryeministrit, ndërsa Sali Berisha tha atë që nuk i mbajti goja kryedemokratit.

“Droga e ardhur nga Kolumbia ishte drogë e adresuar direkt për Olsi Ramën, ishte drogë për Partizanin, për klanin e vëllezërve Rama”, tha Berisha.

Në momentin e akuzave të opozitës, në sallë nuk ishte prezent as ministri i Brendshëm. Replikën e mori përsipër numri dy i socialistëve, Taulant Balla, që bëri një retrospektivë të kultivimit të kanabisit gjatë qeverisjes së demokratëve.

“Qasja juaj nxiti forcimin e grupeve kriminale shoqëruar me një proces pastrimi parash, përmes ndërtimeve, hotelerisë, lojërave të fatit. Heh çfarë keni bërë ju me lojërat e fatit! Do të hapen petët e byrekut”, u përgjigj Taulant Balla.

Me të mbërritur në Parlament ministri Fatmir Xhafaj doli për t’u përgjigjur demokratëve, ndonëse asnjë prej dy akuzuesve nuk ishte më në seancë.

“Shpresoj që në ditët në vijim, Prokuroria e Krimeve të Rënda, përgjegjëse në këtë hetim t’u japë përgjigje të gjitha pyetjeve të ngritura në këtë hetim. Ju të tjerët, spekulantë të fjalës së lirë keni një detyrë, të linit të qetë organin e prokurorisë dhe policinë e shtetit të bëjnë detyrën”, deklaroi Xhafaj.

Pavarësisht këtij debati, mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore për kultivimin e lëndëve narkotike, përfshi këtu rastin për të cilin Prokuroria po heton ish-ministrin e Brendshëm Tahiri.

Kryetar i këtij komisioni do të jetë demokrati Paloka, ndërsa n/kryetare socialistja Ermonela Felaj.

Top Channel