Këtë të dielë, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt, iu bashkua stafi i “Tirana Parking” dhe një biznes privat për mbjelljen e pemëve të reja përgjatë autostradës Sauk-TEG, si kontribut për një mjedis të gjelbëruar dhe ajër të pastër.

“Tirana Parking po ndihmon duke mbjellë pemë sot, por në fakt çdo qytetar që parkimin e paguan me celular në nr. 50500, dhuron një pemë. Dua t’i falenderoj të gjithë ata qytetarë që, pavarësisht se koncepti i parkimit me pagesë ishte një koncept i ri për Shqipërinë, sot po kuptojnë që jo vetëm është bërë më e lehtë të gjejmë parkim, jo vetëm që qyteti merr të ardhura, por në momentin që të ardhurat lidhen direkt me gjelbërimin e Tiranës, secili ndihet që ka dhënë një kontribut”, deklaroi Veliaj.

Sipas Bashkisë së Tiranës, deri tani, në kryeqytet janë mbjellë mbi 90 mijë pemë të reja, shumë pranë objektivit për të mbjellë 100 mijë pemë brenda 21 marsit.

“Kemi përpara 7-8 Marsin, Ditën e Verës, të tjera arsye për ta bërë Tiranën tonë më të mirë se ç’ishte dje. Janë një mënyrë për t’i kushtuar suksesin e këtij qyteti të gjitha grave dhe vajzave, që e bëjnë këtë qytet të suksesshëm. Siç thotë ajo shprehja: “Pas çdo burri ka një grua shumë të aftë”, në fakt edhe pas çdo qyteti ka gra dhe zonja të mrekullueshme, që kanë sukses në kompanitë tona publike ose private”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj tha se çdo e ardhur nga pagesat me sms për vendparkim përmes projektit të Bashkisë, “Tirana Parking”, shkon për të mbjellë pemë për qytetin, por një kontribut të çmuar kanë dhënë edhe bizneset: “Jam shumë i lumtur që kemi miq që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë për ta gjelbëruar Tiranën. Tirana, si çdo qytet, ndahet në ata që janë spektatorë dhe ata që janë aktorë. Aktorët janë ata që bëjnë gjërat, spektatorët janë gjithologët që vetëm japin mend si bëhen gjërat. Është shumë e rëndësishme që kompania të ketë sukses, të ketë fitim, të punësojë njerëz, por është shumë e rëndësishme që t’i japë diçka mbrapsht komunitetit”.

Top Channel