“Netanjahu mbështet qendrën kundër ekstremizmit në Tiranë”. Rama flet në Komitetin Izraelito-Amerikan

04/03/2018 16:23

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën Vjetore të Komitetit Izraelito-Amerikan të Çështjeve Publike, që u zhvillua në Uashington.

Fjalën e rastit në këtë Komitet, kreu i Qeverisë e transmetoi përmes platformës së tij në rrjetet sociale dhe në videon e shpërndarë, ai flet për forcimin e bashkëpunimit me Izraelin, pasi siç thotë Rama, Shqipëria dhe Izraeli ndajnë të njëjtat vlera.

Rama solli shembullin e mbrojtjes së hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore për të ftuar izraelitët që të vizitojnë Shqipërinë, ndërsa tha se synohet të ndërtohet në Tiranë një qendër kulturore për miqësinë mes dy vendeve.

“Duam të ndërtojmë një qendër kulturore për miqësinë shqiptaro-izraelite në zemër të Tiranës. Duam që kjo qendër të tregojë historinë e marrëdhënieve tona”, thotë Rama.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se ka marrë premtimin nga homologu izraelit, Benjamin Netanjahu për të shndërruar qendrën aktuale të hapur në Tiranë kundër ekstremizmit të dhunshëm, në një pikë referimi rajonale.

Në fjalën e Edi Ramës, të paktën nga ajo që vetë kreu i Qeverisë ka postuar në rrjetet sociale, vota e Shqipërisë kundër Jeruzalemit kryeqytet të Izraelit në OKB, nuk është diskutuar.

Top Channel