Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i Parlamentit Kadri Veseli janë intervistuar nga prokuroria speciale në rastin e 10 të dyshuarve si pjestarë të organizatës “Syri i popullit”.

Njëri prej tyre është Murat Jashari, njeriu që plagosi Azem Vllasin, ish kreu i Partisë Komuniste të Kosovës marsin e vitit të kaluar. Vëllai i Jasharit, ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ismet Jashari, i njohur ndryshe si komandant Kumanova, u vra nga forcat serbe në 1998-tën.

Grupi, sqaron BIRN, akuzohet se ka hartuar një listë të ashtuquajturish “tradhëtarë të kombit”, ku janë përfshirë zyrtarë të lartë, ndër të cilët edhe vetë Thaçi e Veseli. Thaçi i tha prokurorisë speciale se kishte dëgjuar për grupin në fjalë nga raportet në media, por shtoi se ai nuk i përket një liste tradhtarësh si njeri që i ka kryer gjithmonë aktivitetet e tij politike në të mirë të lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Etiketime të tilla janë të motivuara politikisht për të justifikuar akte terroriste kundër meje dhe personaliteteve të tjera të politikës së Kosovës, thuhet në deklaratën e Thaçit. Veseli nga ana tjetër sqaroi se Murat Jasharin e njeh vetëm si vëllain e Ismet Jashari, dhe këmbëngul se nuk ka pasur probleme personale apo lidhje me asnjërin prej të akuzuarve.

Prokuroria speciale pretendon se anëtaret e organizatës së popullit kishin vendosur që marsin e 2017-tës të nisnin veprimet e paligjshme për destablizimin ose shkatërrimin e strukturave kryesore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikes së Kosovës, me sulme dhe vrasje të personaliteteve më të larta shtetërore, duke i konsideruar ata tradhtarë.

 

Top Channel