Goditja e prokurorit, unioni: Sulm kolektiv ndaj nesh, të reagojë Kryeprokurorja

03/03/2018 21:06

Unioni i Prokurorëve shqiptarë ka reaguar mbrëmjen e sotme në lidhje me ngjarjen e Vlorës, ku një prokuror u dhunua në zyrën e tij nga një person.

UPRSH kërkon reagimin e Prokurorit të Përgjithshëm në mbrojtje të integritetit fizik të çdo prokurori që ushtron detyrën në Republikën e Shqipërisë. UPRSH thotë më tej në deklaratë se konstatohet se kohët e fundit vihet re një tendencë për sulm kolektiv ndaj trupës së prokurorëve.

Deklarata e plotë

UPRSH kërkon mbështetjen e Prokurorit të Përgjithshëm për të reaguar në mbrojtje të integritetit fizik të çdo prokurori që ushtron detyrën në Republikën e Shqipërisë.

UPRSH kërkon me forcë nga shteti shqiptar, të mbajë qëndrim ndaj dhunës fizike të ushtruar kundër prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së parë Vlorë.

UPRSH përshëndet reagimin e policisë së shtetit për arrestimin e autorit të sulmit fizik në zyrat e Prokurorisë shqiptare.

UPRSH beson se mbrojtja e prokurorëve është detyrë e shtetit si një obligim për prokurorët që janë çdo ditë në mbrojtje të ligjit dhe interesave të qytetarëve.

UPRSH me keqardhje konstaton se kohët e fundit vihet re një tendencë për sulm kolektiv ndaj trupës së prokurorëve. Prokurorët që janë në detyrë janë përfaqësues të shtetit dhe shteti ka detyrimin për mbrojtjen e integritetit të tyre fizik si dhe për një trajtim me dinjitet.

Top Channel