BB mbjell pemë, Salim: Transformimi i Tiranës, vizioni që duhet përqafuar

03/03/2018 12:30

Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, iu bashkua nismës për mbjelljen e pemëve në liqenin e Farkës.

“Kjo është arsyeja pse njerëzit duan të vijnë në Tiranë, pse duan të vijnë në Shqipëri. Ky është vizioni që ata duan të shohin, që duhet përqafuar, kur mendon si të thithësh investitorë, por gjithashtu edhe mentaliteti i duhur për t’u bërë pjesë e zgjerimit të BE-së. Ky është vizioni që ata duan të shohin dhe kjo është arsyeja pse pasqyroheni në “The Economist”, si edhe pse gjithkush do të vijë për ta vizituar”, tha ajo, teksa së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe përfaqësues të Korporatës Ndërkombëtare të Financave (IFC), mbolli disa pemë në parkun e liqenit të Farkës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës falënderoi Bankën Botërore dhe Korporatën Ndërkombëtare të Financave për kontributin që japin në Shqipëri, ashtu edhe për pemët që i kanë dhuruar qytetit të Tiranës.

“Kjo punë nuk bëhet vetëm. Shprehja shqiptare: “Trimi i mirë me shokë shumë” vlen më shumë se çdo gjë tjetër për aksionin tonë të gjelbërimit. Ndaj, e falënderoj më gjithë zemër IFC-në dhe Bankën Botërore sepse janë jo vetëm operatorë të mëdhenj të zhvillimit në Shqipëri, por edhe të zhvillimit të qëndrueshëm, për investime afatgjata në natyrë, mjedis, gjelbërim”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se të kujdesesh për gjelbërimin sot, investon për të ardhmen e qytetit dhe shoqërisë nesër. “Çdokush prej nesh që e mban mend se si gjyshërit tanë pyllëzuan kodrën e shkretë të asaj që sot është Liqeni i Tiranës para 50 viteve, e kanë të qartë se si do duket pas 50 viteve ky vend tek Liqeni i Farkës. Në fakt, ndryshimi po duket që tani, por unë besoj që më e mira është përpara. Ka ardhur koha të mos mendojmë më shumë për zgjedhjet e ardhshme, se sa për gjeneratën e ardhshme. Kur mendojmë për gjeneratën e ardhshme, ky qytet do të vazhdojë shumë gjatë”, tha Veliaj.

Top Channel