Vrasja e Agur Vrenozit, ndërsa po përpiqej të ndalonte grabitësit në Fier, sipas kryetarit të opozitës nuk është një ngjarje e shkëputur në të përditshmen e Shqipërisë.

“Është një humbje e rëndë për familjen dhe njerëzit e tij, por është një tragjedi për të gjithë shoqërinë. Vetëm dje kanë ndodhur 4 grabitje me armë. Në Shqipëri ka vetëm një realitet: drogë dhe krim”, tha kreu i PD-së.

Basha deklaroi se cikli i krimit po thellohet në Shqipëri, ndërsa akuzon kryeministrin Rama se po bën propaganda njësoj si në vitin 2016, kur në Shqipëri pati kultivim masiv droge, por qeveria nuk e pranonte.

“Prej muajsh Edi Rama po financon miliona euro propagandë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të krijuar idenë se ai është reformuar, për të krijuar idenë se ka hequr dorë nga lidhjet me kriminelët dhe trafikantët e drogës dhe tani është i përkushtuar të luftojë krimin. Është e njëjta skemë që përdori për të bindur shqiptarët dhe gjithë botën se në Shqipëri nuk kishte drogë, se Policia ishte institucioni më i besuar dhe më i mirë i qeverisë dhe se Saimir Tahiri ishte ministri më shembullor që Shqipëria kishte patur ndonjëherë. Besimi i kësaj propaganda do të kishte pasoja fatale për vendin”, deklaroi Basha.

Kreu i Partisë Demokratike deklaroi se nuk mund ta luftojë krimin ai që e i dha pushtet krimit.

“Përsa kohë Edi Rama është në pushtet do të kapen vetëm shoferë dhe punëtorë krahu, por jo kokat e krimit”, tha Basha në daljen për shtyp.

Top Channel