Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi u prit në një takim nga Cihan Sultanoglu, Kryetare e UNDG, asistent administrator dhe drejtore e Byrosë Rajonale për Evropën dhe Komonuelthin e Shteteve të Pavarura.

Ruçi i shprehu mbështetjen për Zyrën e PNUD-it në Tiranë si edhe për të zgjeruar më tej bashkëpunimin ekzistues dhe avancimin e synimeve të përbashkëta dhe programeve të bashkëpunimit midis Qeverisë së Shqipërisë dhe PNUD-it.

“Ne shprehim besimin se prioritetet që po zbatojmë nën “Një OKB” do të përmbushin prioritetet e vendit, të përfshira në programin e Qeverisë Shqiptare dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin 2015-2020. Ne pranojmë se angazhimet për qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut janë të domosdoshme për arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në të vërtetë, cilësia e qeverisjes dhe zbatimi i ligjit ka një rol të qartë në avancimin ekonomik dhe të qëndrueshëm”, është shprehur Ruçi.

Ai tha se në kuadrin e SDG-ve dhe axhendës 2030, Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me misionin e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, ka filluar zbatimin gjithëpërfshirës në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin 2015-2020 dhe axhendën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Krahas kësaj, kreu i Kuvendit u ndal edhe tek reformat e miratuara nga nga Parlamenti shqiptar duke vënë theksin tek ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformimit të sistemit të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit të Vetting-ut në sistemin e drejtësisë.

Gjatë takimit, u shpreh edhe angazhimi i qeverisë shqiptare për zbatimin e reformës në drejtësi si një nga elementët kyç për avancimin e proceseve të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA