Baltë në dimër, pluhur në verë, 5 kilometra rrugë izolon fshatin

02/03/2018 12:14

Banorët e fshatit Thanasaj në Lushnje kanë protestuar për rrugën e fshatit, e cila është në gjendje skandaloze.

Banorët thonë se prej 25 vitesh në këtë rrugë, që është vetëm 5 kilometra e gjatë nuk është vënë dorë.

Në dimër balta dhe në verë pluhuri ua kanë vështirësuar jetën 150 familjeve të këtij fshati.

Fshati Thanasaj është një nga fshatrat e Lushnjes që ka prodhimtari të lartë në bujqësi, por mungesa e rrugës ka bërë që banorët ta braktisin atë, pasi e kanë të vështirë të çojnë prodhimet e tyre në treg.

“Nuk na shikonin me sy. Nuk kemi rrugë. Kur kemi vota na vijnë deputetët nëpër shtëpi, ndërsa tregtarët nuk na vijnë të na marrin mallin. Rruga lidh shtatë fshatra”, deklarojnë banorët.

Banorët thonë se do të përshkallëzojnë protestat deri sa të marrë zgjidhje situata.

“Jemi të përgatitur që ta vazhdojmë këtë protestë, do ta ngremë problemin edhe në autostradën kryesore”, shprehen ata.

Top Channel