20 mijë familje pa ndihmë ekonomike, Basha: Qeveria shpenzon paratë për luks

02/03/2018 13:51

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar me familje të Vorës, të cilave u është hequr ndihma ekonomike.

Dëshmi tronditëse të familjeve që janë përjashtuar nga ndihma eknomike. Fëmijë që ushqehen me turshi në mëngjes dhe familje të zhytura në borxh për të mbijetuar. Familjet që vizitoi Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, janë të gjitha të hequra padrejtësisht, siç është rasti i Sabri Vrionit, që jeton me familjen në një barakë.

Në bisedën mes tyre, ai i tregoi Bashës se ia hoqën ndihmën 4800 lekë, për shkak se nuk plotësonte pikët, ndërkohë që tregon gjendjen e mjerueshme të barakës dhe vajzat që po ushqehen në mëngjes me lakër turshi dhe qepë të njoma. Kryetari Basha u shpreh se “Partia Demokratike nuk do të pranojë kurrë të hiqet buka e fëmijëve, në mënyrë që qeveria të shpenzojë paratë për luks”.

Kushtet e këqija ku banojnë u ka shkaktuar bronkopneumi edhe 3 fëmijëve të familjes së Spahi Koçit, i cili i tregoi Bashës dhomën ku jeton familja me 5 vetë, që ka mbetur pa ndihmë ekonomike.

Ai i tha Bashës se të dy prindërit e fëmijëve janë pa punë dhe janë në spital me fëmijët e shtruar në pediatri me ftohje të rëndë dhe se me heqjen e ndihmës ekonomike nuk kanë me çfarë të jetojnë dhe janë në dorë të Zotit.

Nga skema e ndihmës ekonomike është përjashtuar edhe familja e Fradjol Ukës, bashkëshortja e të cilit e barazon ndihmën me nje thes miell.

“Shkova të firmos më thanë se nuk ke emer dhe dhe kur më ka thënë s’ke emër, nuk më kanë parë mësytë të vija në shtëpi. Atë prisja që të merrja një thes miell”- u shpreh ajo, duke shtuar se tani jeton duke marrë borxh nëpër dyqane dhe se nuk kanë gjetur punë në zyrat e punës, ku është rregjistruar me bashkëshortin.

Basha tha se nëse qeveria do të hiqte dorë nga shpenzimet e luksit, ato do të ishin të mjaftueshme për të paguar ndihmën mujore të më shumë se 30 mijë familjeve në nëvojë.

 

Top Channel