Shqipja zyrtare, VMRO nuk tërhiqet nga 35 mijë amendimet

01/03/2018 18:17

Opozita maqedonase thotë se mbetet e vendosur për të bllokuar kalimin e ligjit të gjuhëve në Parlamentin vendas.

Ky ligj vendos në statusin e gjuhës zyrtare edhe gjuhën shqipe.

Por, duke mos patur votat për ta kundërshtuar këtë ligj të propozuar nga LSDM dhe të mbështetur nga partitë shqiptare, VMRO ka zgjedhur strategjinë e amendimeve, duke propozuar plot 35 mijë të tillë për t’u shqyrtuar.

Kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski thotë se tërheqja nga këto amendime do të ndodhë vetëm me një kusht.

“Po ka një mënyrë, të tërhiqet ligji nga procedura parlamentare, të formohet grup punë në të cilën do të marrin pjesë të gjitha grupet parlamentare, ku do të ftohen ekspertë, të ulemi dhe të hartojmë një akt Kushtetues dhe të pranueshëm”, thotë ai.

Top Channel