Në përfundim të takimit të zhvilluar në Sofje të Bullgarisë, mes kryeministrave të rajonit, Presidentit të Komisionit Europian, Juncker, shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn, Kryeministri Rama tregoi se kishte marrë vlerësime për operacionin e fundit të agjencive ligjzbatuese shqiptare, gjatë të cilit u sekuestruan 613 kg kokainë.
“Operacioni më i fundit i agjencive tona ligjzbatuese pati një jehonë shumë pozitive dhe u vlerësua me pozitivet maksimal. Ishte po kaq e rëndësishme edhe vetëdija dhe nënvizimi i kësaj vetëdijeje se ky ishte një operacion mirëfilli i agjencive tona ligjzbatuese, pa, në këtë rast, një sinjalizim nga partnerët”, tha Rama.
Kryeministri Rama vuri në dukje se ngarkesa e drogës i kishte shpëtuar më herët kontrolleve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
“Ngarkesa e kapur përbën jo vetëm një sasi që është më e madhja e kapur ndonjëherë prej nesh, por një sasi që, përpara sesa të vijë në vendin tonë, ka kaluar në portet e Bashkimit Europian dhe faktikisht i ka shpëtuar kontrolleve”, vijoi ai.
Kreu i Qeverisë theksoi se është e natyrshme që Shqipëria do të punojë vijimësisht me partnerët, por sipas tij ky rast tregon integritetin e forcave shqiptare të angazhuara në luftën kundër trafiqeve.
Rama theksoi se këndvështrimi i Brukselit në këtë takim ishte pozitiv ndaj Tiranës, arsye për të cilën priste një rekomandim në favor të hapjes së negociatave dhe një përgjigje pozitive nga vendet anëtare.
“Është e qartë që duhet të punojmë intensivisht në këtë periudhë përsa i përket vendeve anëtare, pasi kështu funksionon ky proces, por po ashtu është e qartë se ka një mirëkuptim të gjerë lidhur me hapat e rëndësishme përpara që ka bërë Shqipëria”, deklaroi kreu i Qeverisw.
Në takimin e Sofjes me kryeministrat e rajonit është folur edhe për financimet e projekteve në kuadër të Procesit të Berlinit, ku sipas kreut të Qeverisë, korridori blu, ose autostrada Adriatiko-Joniane është prioritet parësor.
Top Channel