Pogradec, pastrueseve u vjedhin pagat; akuza për kompaninë e kushëririt të kryebashkiakut

01/03/2018 12:20

12 punonjëse të pastrimit në qytetin e Pogradecit denoncojnë publikisht shkeljet nga kompania që i ka punësuar.

Gratë ankohen se punojnë në kushte të këqija, natën dhe me një pagë prej 18 000 lekësh. Akuzat e tyre janë të rënda në drejtim të menaxheres, të cilën e akuzojnë se ka marrë kartat e tyre bankare. Konflikti në punë është përshkallëzuar deri në pezullimin e tyre nga puna.

“E zbuluam nga shoqet. Futën kartën e bankës dhe nxorën 21 000 lekë, por menaxherja ia mori lekët nga dora dhe i tha që do t’i merrnin te zyra të nesërmen lekët. Është vajza e drejtorit, zotit Luan Kapri. Na pushuan nga puna tani”, thonë pastrueset.

Përfaqësuesja e firmës, Marinela Kapri sqaron se kartat e bankomateve të punonjëseve i ka marrë vetëm për të verifikuar kalimin e pagave të tyre dhe se ua ka kthyer ato brenda pak ditësh, ndërsa ka kërkuar gatishmëri që firma të negociojë me punonjëset për kërkesat e tyre.

Firma kontraktore e pastrimit në qytetin e Pogradecit ka për administrator Luan Kaprin, kushëriri i parë i kryetarit të Bashkisë, Eduard Kapri. Megjithatë, zyrtarisht bëhet e ditur se kontrata është lidhur para se Kapri të zgjidhej kryebashkiak.

Top Channel