Vrasja për një ton hashash, pistë e re për ekzekutimin e Memli Begallës

28/02/2018 13:58

Gjykata e Tiranës vendosi masat e sigurisë arrest me burg për Denis Demirin dhe Ardian Serezin, dy të arrestuarit të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla në zonën e bllokut mbrëmjen e 14 shkurtit.

Ndryshe nga sa u dyshua menjëherë pas vrasjes mbi motivet e krimit, prokuroria, ka referuar në gjykatë se binzesmeni Begalla mund të jetë vrare për shkak të një sasie droge prej 1 ton kanabis, që ishte kapur në vitin 2014 në Gjirokastër.

Së bashku me drogën ishte ndaluar edhe një nga të dyshuarit e vrasjes, Ardian Serezi. Burimet thonë se biznesmeni Begalla i kishte dhënë garanci Serezit se do ta ndihmonte të dilte nga burgu, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Dhe për këtë arsye, dyshohet se Ardian Serezi së bashku me Denis Demirin organizuan dhe realizuan ekzekutimin e Begallës, në shenjë hakmarrje se nuk e ndihmoi të dilte nga burgu.

Gjatë seancës në gjykatën e Tiranës u zbulua se identifikimi i autorëve u bë pasi një prej tyre kishte hequr kapelen që mbante në kokë në një lokal në zonën e Laprakës, ku kishin ndaluar pas kryerjes së krimit.

Sakaq dy të arrestuarit, nuk kanë dhënë asnjë deklarim në seancën gjyqësore në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

 

Top Channel