Tirana, pushteti i fëmijëve. “The Guardian” e krahason me Rotterdamin e Vancouverin

28/02/2018 13:25

“The Guardian” e Londrës e fillon shkrimin për qytetet miqësore për fëmijët duke shkruar, “Imagjino sikur të jesh një 10-vjeçar dhe jeton në një qytet mesatar, ku do të të duhet të shkosh të takosh një shokun tënd 5 minuta larg për të shkuar në një park 10 minuta më tej”.

“Problemi është se ka një rrugë të madhe e të rrezikshme mes teje dhe shokut tuaj! U kërkon prindërve të të çojnë atje në këmbë, por ata thonë se janë të zënë me punë të tjera”.

“Ky është realiteti i shumë fëmijëve në ditët tona, por nuk ka përse të jetë i tillë”, shkruan “The Guardian” e Londrës dhe jep shembujt nga disa qytete shembull në botë, mes të tjerash Rotterdami, Vancouveri dhe Tirana!

Gazeta e madhe prestigjioze britanike citon kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të thotë “Mos e nënvlerësoni fuqinë dhe pushtetin e fëmijëve”.

Në një qytet me mungesë fondesh, bizneset kanë transformuar kopshtet dhe çerdhet nga “qeli burgjesh” të shkatërruara, në hapësira të bukura. Ndryshimi nuk është gjithmonë i lehtë në një qytet, ku makina është simbol potent i statusit social.

Gazeta “The Guardian” përmend në shkrim, kur flet për Tiranën, punën e bërë për sheshin “Skënderbej” si dhe krijimin e pedonaleve, ndërkohë që i referohet kopshtit te Liqeni i Tiranës dhe protestave kundër ndërtimit të tij.

Gazeta nuk lë pa përmendur edhe ndërtimin e pyllit orbital, ku fëmijët dhe prindërit mbjellin pemët e ditëlindjeve të fëmijëve të tyre në vende të caktuara, posaçërisht për këtë qëllim.

Tirana, me të drejtë mburret edhe me “këshillin bashkiak të fëmijëve”, të cilët takohen rregullisht me kryebashkiakun, thekson më tej gazeta.

“Më e bukura e punës me fëmijët është se ata nuk kanë axhenda të fshehta dhe janë avokatët më të mirë për të bindur prindërit për të ricikluar, ecur apo përdorur biçikletat për të shkuar në shkollë”, citon londinezja “The Guardian” kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Top Channel