NBA, LeBron James shkruan historinë (Video)

28/02/2018 11:40

LeBron James shkruan një tjetër faqe në historinë e NBA. Ylli i Cleveland Cavaliers, në sfidën ndaj Brooklyn Nets shënoi 31 pikë, rrëmbeu 12 topa në tabelë dhe dha 11 asist, për t’u bërë i pari dhe i vetmi basketbollist në kampionatin amerikan të basketbollit të arrijë në 30 mijë pikë, 8000 topa në tabelë e 8000 asiste në karrierën e tij.

Përsa i përket sfidës me Brooklyn, Cleveland e fitoi me rezultatin 129-123, duke bërë që “Mbreti” James të festojë ashtu siç duhet këtë arritje historike në aspektin personal. Me këtë fitore, Cleveland është në vendin e tretë në Konferencën e Lindjes, por ndjen nga pranë hijen e Washington Wizards.

Skuadra e Wizards mundi Milwaukee Bucks në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 107-104. Washington ishte gjatë gjithë kohës në udhëheqje të rezultatit në këtë takim, por në asnjë moment nuk ishin të qetë, pasi Milwaukee ishte gjithnjë pranë saj. Për Washington, shënuesi më i mirë ishte Bradley Beal, i cili ka marrë përfundimisht rolin e liderit të skuadrës pas dëmtimit të John Wall. Beal e mbylli sfidën me 21 pikë, 8 asist e 7 topa në tabelë.

Denver Nuggets humbi në shtëpinë e tij në “Pepsi Center” ndaj Los Angeles Clippers 120-122, në një ndeshje të cilën u duk se e kishte në kontroll të plotë, pasi arriti të krijojë edhe një diferencë prej 19 pikësh ndaj skuadrës kaliforniane. Por, kjo e fundit diti të reagojë dhe të përmbysë gjithçka në këtë sfidë, duke marrë këtë fitore që është e 32 sezonale për të.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Sacramento humbi ndaj Portland 99-116, Miami mundi Philadelphian 102-101, ndërsa Charlotte fitoi me Chicago Bulls 118-103.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA