Nga takimi me Jean-Claude Juncker, tek ai me Angela Merkelin… Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e pati mjaft të ngjeshur këtë fillimjave, kur nga dy figura të rëndësishme të bllokut europian mori konfirmimin se mbështetja për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së vazhdon, por vetëm nëse zgjidh problemet me Kosovën.

“Negociatat e anëtarësimit mund të jenë të suksesshme, nëse vazhdojnë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe normalizohen marrëdhëniet me Kosovën. Me Kosovën duhet të ketë një marrëveshje kontraktuale”, tha Kancelarja gjermane Merkel.

Gjermania është një prej vendeve, të cilat e kanë kërkuar hapur që Serbia ta pranojë Pavarësinë e Kosovës, e gjithashtu në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel të nënshkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridike për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd.

Vuçiç nuk ia ka fshehur Kancelares problemet me të cilat po përballet Serbia, duke theksuar se vendi i tij është gati për një zgjidhje, nga e cila të dyja palët të humbasin diçka.

“Serbia nuk mund të jetë humbësja e vetme”, deklaroi ai në konferencën e përbashkët dhënë pas takimit të tyre në Berlin. Por, ndërsa kreu i shtetit serb lëshon sinjale kompromisi, ministri i tij i Jashtëm, Ivica Daçiç vazhdon përpjekjet për minimin e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës, e së fundi ka pritur një delegacion të Çekisë nga Partia Socialdemokrate, pas nismës së kësaj partie për nënshkrimin e peticionit që parashikon tërheqjen nga njohja e bërë Kosovës prej këtij vendi.

Top Channel