Meçollari: Ku u gabua në 2009-ën. Çdo marrëveshje e re me Greqinë, më e mirë se e para

28/02/2018 19:39

Ndër të paktat dalje publike të ekspertit Artur Meçollari në lidhje me marrëveshjen e detit me Greqinë është edhe pjesëmarrja e tij në vitin 2015 në emisionin “Top Show” në Top Channel. Meçollari ishte i bindur se çdo marrëveshje e re do të ishte më e mirë se ajo e vitit 2009.

“Marrëveshja e 2009 është më e keqja e mundshme për Shqipërinë. Deti territorial dhe shelfi kontinental kanë parime të ndryshme delimituese. Në këtë marrëveshje janë ndarë me të njëjtat parime. E dyta, është një marrëveshje e paprecedentë në të drejtën ndërkombëtare: nuk ka asnjë marrëveshje ndërkombëtare që ndan 3 kufij në një marrëveshje”, shprehej në “Top Show”.

Marrëveshja pretendonte se ishte për shelfin kontinental – shpjegon eksperti – por në përmbajtje mblidhte bashkë edhe hapësirat e tjera detare si deti territorial dhe zona ekonomike ekskluzive. Në këtë kontekst, Artur Meçollari e quante marrëveshjen e vitit 2009 si një precedent të rrezikshëm ndërkombëtar, pasi përveç Shqipërisë, Greqia ndan det territorial edhe me Turqinë.

“Marrëveshja e 2009 ishte precendent i rrezikshëm, kërkon të destabilizojë regjimin detar në Egje. Në instrumentin e ratifikimit ka një klauzolë që thotë: Greqia gëzon të drejtën të zgjerojë detin territorial në 12 milje kur ta shohë të arsyeshme. Kjo është destabilizim i regjimit detar në Detin Egje. Marrëveshja në termat e fshehur mes rreshtave i ka dhënë Greqisë në mënyrë automatike 12 milje detare. I ka njohur kufirin maksimal të mundshëm”, shprehej Meçollari.

Aktualisht, deti territorial i Greqisë shtrihet deri në 6 milje. Sipas Meçollarit, batuta e famshme e ish-ministres së Jashtme të Athinës Bakojanis se me marrëveshjen e vitit 2009 me Shqipërinë Greqia arriti një objektiv strategjik, i referohej pikërisht qëllimit të mundshëm për ndryshimin e regjimit detar në Egje.

Top Channel