KESH shet lirë. Energjia shqiptare, 4 mln euro më lirë se çmimi i bursës

28/02/2018 15:28

Të hënën Korporata Elektroenergjetike shqiptare shiti rreth 400 mijë megavat/orë energji tek tregtarët privatë. Energjia, e cila do të lëvrohet gjatë muajit mars është një nga sasitë më të mëdha të shitura në një muaj të vetëm duke i sjellë korporatës 13.5 milionë euro të ardhura.

Por, Top Channel krahasoi çmimin e shitjes së energjisë nga KESH me atë në bursën e Hungarisë, që është si pikë referimi për tregtimin e energjisë në rajon. Çmimet kanë diferenca jo të vogla.

Sipas njoftimit zyrtar, për profilin bazë KESH e shiti energjinë tek tregtarët me një çmim nga 33 deri në 34 euro për mega. Pjesa më e madhe e energjisë u ble nga dy kompani, shqiptarja GSA dhe serbja EFT. Por për të njëjtin profil bazë në të njëjtën ditë në bursën e Hungarisë, energjia u shit me 49.9 euro për mega, ose rreth 15 euro më shtrenjtë.

Për profilin pik, çmimi më i lartë i arritur nga KESH ishte 41 euro për mega, ndërsa në në bursën hungareze ai ishte 57.1 euro për mega, ose 16 euro më shumë.

Krahasimi i të dhënave tregon se nëse KESH do ta kishte shitur energjinë me të njëjtin çmim si në bursën hungareze, ajo do të arkëtonte të paktën 4 milionë euro më shumë, përfshirë edhe tarifën e kapaciteteve që paguhet në eksport.

Por, edhe këtë herë u përsërit e njëjta dukuri, ajo që kompanitë publike shesin me çmime më të ulëta se bursa, kur vendi ka tepricë energjie dhe blejnë me çmime dukshëm më të lartë se tregu kur vendi është në krizë. Shit-blerja e energjisë edhe në të kaluarën ka shkaktuar debate të forta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA