I ndarë nga jeta një ditë më parë në moshën 60-vjeccare, shumë përpara kohe, Profesori i Asociuar i Teorisë së Artit dhe Kritikës, Gëzim Qendro, u përcoll të martën për në banesën e fundit.
“Është hyjnore edhe kjo bora që po bie kaq e rrallë e gjeti ditën sot për të na dhënë neve paqe për një njeri shumë të rrallë, të cilin e njoh të pakten prej 30 vitesh, me të cilin kam punuar të paktën prej 20 vitesh dhe vetëm jam mahnitur nga cilësitë e tij profesionle dhe njerëzore”, tha ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
I diplomuar për Arte Pamore në Amstërdam dhe mbrojtës i doktoraturës në Paris, Gëzim Qendro spikati që herët duke u emëruar drejtor arti i filmave të animuar në ish Kinostudion “Shqipëria e Re”. Më tej si drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë ai solli ndryshimin në këtë institucion në vitet 1997-2002.
“Me Gëzimin nuk kam punuar vetem në GKA. Njihemi shumë kohë përpara që nga viti 1973, kur jam emëruar në Kinostudio. Kur erdhi në GKA i dha kthesën përfundimtare këtij institucioni nga një institucion zvarritës, e ktheu në një institucion aktiv, atraktiv, ku u përballën artistët shqiptare me artistët e huaj”, rrëfen Suzana Varvarica, kritike arti.
“Gëzimi përvecse një mik shumë i mirë ishte një bashkëpunëtor shumë i mirë. Është një ditë vërtetë shumë e trishtë. Nuk gjen dot fjalët për një njeri të tillë, jo vetëm unë por e gjithë skena e artit”, tha Valentina Koca, Drejtore e galerise “Zeta”.
Gëzim Qendro ishte Drejtor i revistës “PamorART” bashkëdrejtor dhe një nga kuratorët e tre edicioneve të para të Bienales në Tiranë, botues i qindra artikujve në shtypin shqiptar dhe të huaj, autor i tre monografive për artistët shqiptarë dhe përkthyes i 14 titujve librash të lidhura kryesisht me historinë e artit dhe teorinë e artit. Ka qenë gjithashtu një nga kuratorët e Muzeut “Shtëpia me gjethe” dhe anëtar i jurisë së Ministrisë së Kulturës për Bienalen e Venecias.
Top Channel