Ministri i jashtëm Ditmir Bushati nuk dha asnjë detaj në lidhje me negociatat me Greqinë, sepse sipas tij marrëveshja mbetet për t’u negociuar.
Dalja përpara deputetëve të komisionit të jashtëm i dha mundësi ministrit të replikojë në distancë me presidentin e republikës për autorizimin për plotfuqinë dhe faktin që presidenti, sipas ministrit, ka qenë në dijeni të çdo hapi të hedhur nga pala shqiptare:
“Kam bërë një konsultë me të. Më vjen mirë që mbrëmë është detyruar të pranojë se është takuar me mua, ndryshe nga konferenca për shtyp kur tha se nuk kishte informacion. Para kërkesës kam bërë konsulten. Edhe para Korçës jam takuar me Presidentin. Nuk lëshon plotfuqishmëri Presidenti, edhe ai i shkreti e dinte gabim. Filloi të thonte autorizim “, tha Bushati.
“Ministri Bushati foli në shkelje të etikës ndaj deputetëve dhe Presidentit. Që në fillim të fjalës sime do të bëjë kërkesën në emër të deputetëve të opozitës që mbas kësaj mbledhje në një ditë të përshtatshme të organizojmë mbledhje të dytë dhe të thërresim presidentin e Republikës, do e paraqesim dhe me shkrim këtë kërkesë. Sepse u bënë shumë lojëra fjalësh mbi të, shumë akuza”, tha Tritan Shehu.
“Kjo nuk është kafja e Kodrës së Diellit ku mblidhemi pasdite dhe mundohemi të kurojmë paranojat e njëri-tjetrit”, tha Bushati më pas.
Zëdhënësi i Presidentit i tha Top Channel se presidenti Meta është i gatshëm të përgjigjet në komision, ndonëse kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe do të përbënte precedent.
Bushati: Presidenti jep autorizimin, plotfuqishmërinë e ka ministri i Jashtëm
Ministri Bushati tha se Presidenti jep autorizimin, por plotfuqishmërinë e ka ministri i Jashtëm për negociatat për detin.
“Presidenti i Republikës nuk jep plotfuqishmëri. Ligji që keni miratuar ju, 43/2016 përcakton qartë se kush e jep plotfuqishmërinë. Presidenti i Republikës jep autorizimin, plotfuqishmëria është kompetencë e minstrit të punëve të jashtme. Për këtë lloj negocimi është shumë e vërtetë që unë si ministër i Punëve të jashtëm i kam kërkuar presidentit dhënien e autorizimit për plotfuqishmërinë. Për ta kuptuar, fare thjeshtë i kam kërkuar Presidentit autorizim për të filluar punën konkrete. Me dëshirën dhe synimin për të arritur një marrëveshje me Greqinë për këtë çështje. Me Presidentit kam komunikuar në rrugë institucionale, dhe do të vazhdoj ti shfrytëzoj sepse na imponon ligji dhe kushtetuta të kemi bashkëpunim. Presidentit i është bërë kërkesa nga ana ime, para se të procedoj me kërkesën për autorizim. E vërteta është që institucionet kërkojnë autorizim për dhënie plotfuqishmërie nga Presidenti”, tha Bushati.
Ai shtoi se opozita dhe Presidenti kanë qenë në dijeni të zhvillimeve me palën greke. Sot, tha ministri flasim për një marrëveshje të re.
“Dua ta theksoj një marrëveshje të re, sepse një pjesë e mirë e kolegëve që sot janë në të majtën time deri në shtatorin e vitit të kaluar kanë qenë të ulur bashkë me ne në të njëjtat karrige qeveritare sikundër presidenti i republikës ka qenë kryetari i Kuvendit dhe është zgjedhur me votat e maxhorancës së kaluar dhe ka qenë pjesë apo në dijeni të këtyre diskutimeve dhe zhvillimeve që janë bërë me palën greke. Them marrëveshje e re sepse dihen qëndrimet për këtë çështje, qëndrim dhe faktet janë të njohura për opinionin publik”, tha Bushati.
Ai tha se qendrimi i palës greke ka qenë konstant dhe për palën shqiptare vendimi i Gjykatës Kushtetue është vija e kuqe për çdo lloj qeverie.
“Qendrimi i palës greke ka qenë thuajse konstant për të zbatuar marrëveshjen e arritur me Shqipërinë asokohe. Qendrimi ynë gjithashtu ka qenë konstant, sipas të cilit vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i padiskutueshëm dhe përbën vijën e kuqe të çdo lloj qeverie në Shqipëri që kërkon ti japë një zgjidhje në të ardhmen kësaj çështje. Shqipëria ka detyrime dhe nga e drejta ndërkombëtare dhe kur i referohemi korpusit të të drejtës ndërkombëtare në fushën e detit, pika kryesore është konventa mbi të drejtën e detit, apo e Montegodeit, që përcakton parime dhe ofron një metodoloogji për mënyrën se si palë të ndryshme, shtete të ndryshme mund ti japin zgjidhje këtyre çështjeve”, tha Bushati më tej.
Bushati përjashton dhe idenë e arbitrazhit ndërkombëtar të hedhur si ide nga opozita. “Në arbitrazh ndërkombëtar, në bazë të statutit të gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë shkohet vetëm kur dy palët e kanë ezauruar ciklin e negocimit mes tyre dhe nuk kanë rënë dakord për një marrëveshje, dhe kur bien dakord të dyja palët drejt një arbitrazhi ndërkombëtar”, tha ai.
Top Channel