E shpëtuar nga ushtria, flet e sëmura që u transportua me barrelë në mes të borës

28/02/2018 19:43

Një ditë më parë disa efektivë të Forcave të Armatosura shpëtuan një të sëmurë duke e transportuar nga fshati i saj i izoluar nga dëbora, drejt spitalit të Kukësit. E veçanta e kësaj kolone është se eci 3 orë në këmbë, duke e mbajtur të sëmurën me barrelë. Ngjarja përveçse u transmetua nga të gjitha mediat kryesore në vend, përfshirë Top Channel, u bë virale edhe në rrjete sociale. Akti i ushtarakëve u cilësua heroik dhe fotot e tyre morën shumë pëlqime. Sot Top Channel takoi të sëmurën dhe një pjesë të këtij grupi ushtarakësh.

Gjendja shëndetësore e Trëndafile Miçit është e mirë. Një ditë më parë u transportua nga Forcat e Armatosura në kushte të motit ekstrem nga fshati Tejdrinë drejt spitalit të Kukësit.

“I falenderoj shumë për ndihmën që na kanë dhënë,” shprehet Trëndafile Miçi.

Mark Nufi ishte mjeku roje që e priti dhe që po vazhdon ta ndjekë. Ai thotë se pacentja tani është jashtë çdo rreziku.

“Është jashtë çdo lloj rreziku. Është shumë mirë. Diagnoza e saj është helmim ushqimor. Ajo mund të rri edhe tre ditë. Nuk ka pse të rrijë më,” thotë ai.

Trëndafile Miçi ia doli të mbërrijë në spitalin e Kukësit pas sakrificës së 7 ushtarakëve të divizionit të Kukësit, të cilët e transportuan të sëmurën me barrelë duke ecur 3 orë në këmbë pasi rrugët e bllokuara nuk lejonin futjen e automjeteve.

“Në një kohë rekord u nisën forcat dhe mjetet për transportimin e të sëmurës nga fshati Ymisht në drejtim të Kukësit,” shprehet Kastriot Imeraj, major i FA.

“Rruga ishte një terren tepër i vështirë. Pasi shkuam në fshatin Tejdrinë nuk kalohej më me mjete transporti. Organizova efektivin me barrelë për të tërhequr të sëmurën për ta sjellë në Kukës,” thotë Mirton Kerxhalliu, Kapiten i FA.

Reshjet e dendura të dëborës kanë izoluar fshatra të ndryshëm në qarkun e Kukësit, ndërkohë shtabi i emergjencave po ndjek nga afër situatën.

Top Channel