Në prag të zgjedhjeve të 4 marsit, populistët e Lega Nord kanë një mundësi reale që të qeverisin.
Slogani elektoral i partisë që dikur kërkonte shkëputjen e veriut, mirëpritet edhe në jug të vendit. Momenti që Pulja do të dërgojë politikanë të Lega Nord në Parlament për të përfaqësuar interesat e jugut do të cilësohet si një moment historik, sipas “Deutsche Welle”-s. Përkrahësit e partisë duan ta shpëtojnë Leçen, sikurse thonë ata, nga emigrantët e shumtë që kanë mbërritur me anije. Kjo e ka kthyer kreun e Lega Nord, Matteo Salvini në një superstar dhe në pretendentin më të mundshëm për t’u bërë kryeministri i ri i Italisë.
“Nga Bolcano deri në Lampeduza ne kemi shumë migrantë dhe rreth 240 000 vepra penale në vit të kryera nga të huajt. Kjo do të thotë 700 vepra penale në ditë”, thotë Salvini.
Megjithatë, sipas sondazheve, këto janë zgjedhjet më të paparashikuara në dekada. Lëvizja e pesë yjeve e komedianit Beppe Grillo rezulton në avantazh, por me shumë gjasa nuk do të jetë në gjendje që të formojë e vetme qeverinë. Kjo gjë do të favorizojë koalicionin e djathtë mes Forza Italia të Silvio Berlusconit me Lega Nord dhe Fratelli d’Italia. Së bashku, ata mund të fitojnë votat e mjaftueshme për krijimin e qeverisë.
Por, 81-vjeçarit Berlusconi nuk mund t’i lejohet të mbajë një post deri vitin e ardhshëm për shkak të dënimit për evazion fiskal. Kjo e bën Matteo Salvinin e Lega Nord pretendentin kryesor.
Por, edhe Partia Demokratike në pushtet nuk është jashtë loje. Ish-kryeministri Matteo Renzi po shpreson që të sigurojë aq vota sa do t’i mundësojnë krijimin e koalicionit. Ndërkaq, 1/3 e elektoratit mbetet e pavendosur.
Top Channel