Borxhi publik i Shqipërisë zbriti për herë të parë që nga viti 2013 nën 70 për qind të prodhimit kombëtar, i ndihmuar nga zgjerimi i ekonomisë, por edhe forcimi i lekut ndaj euros dhe dollarit.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, në fund të vitit të kaluar, borxhi i qeverisë rezultoi 69.9 për qind e prodhimit kombëtar, nga 72.3 për qind që ishte në dhjetor të vitit 2016.
Me gjithë uljen e lehtë në dy vitet e fundit, borxhi publik i Shqipërisë mbetet në nivele kërcënuese për ekonominë. Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe institucionet e tjera e cilësojnë atë si rrezikun kryesor për qëndrueshmërinë financiare, por edhe rritjen ekonomike të vendit.
Borxhi kombëtar i Shqipërisë u rrit me 1.6 miliardë euro gjatë periudhës 2012-2015, duke arritur nivelin rekord 73 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Opozita akuzoi qeverinë për papërgjegjshmëri financiare, por kjo e fundit ia faturoi rritjen borxheve të fshehura që la pas qeveria e Partisë Demokratike.
Dy vite më parë, me propozim të Ministrisë së Financave, Parlamenti miratoi një ligj, i cili e detyron qeverinë të ulë borxhin vit pas viti. Sipas programit makroekonomik, qeveria është angazhuar që borxhi të ulet nën 60 për qind në vitin 2021, kur janë edhe zgjedhjet e ardhshme. Por, trajektorja e parashikuar e uljes ka shkaktuar debate mes qeverisë dhe FMN-së.
Fondi ka kërkuar një ulje më të shpejtë të borxhit, veçanërisht në vitet e para të mandatit qeveritar, dhe jo në dy vitet e fundit siç parashikon qeveria. FMN druhet se në prag të zgjedhjeve, qeveria nuk do ta respektojë planin për uljen e borxhit, siç ka ndodhur shpesh në vitet zgjedhore.
Top Channel