Zhvendosja dhe rinovimi i stacionit elektrik në qendër të Tiranës duhet të kishte sjellë stabilizimin përsa i përket furnzimit me energji pa ndërpreje për konsumatoret dhe përballimin e mbingarkesave, por në fakt vetëm për muajin shkurt stakimet e energjisë për zonën e qendrës kanë qenë së paku 8 herë, ndërsa që nga fillimi i vitit janë mbi 15 raste.

Sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në kryeqytet po punohet për zëvendësimin e rrjetit dhe të kabinave të vjetra elektrike. Në disa raste të tjera ka pasur avari, të cilat janë shkaktuar nga mbingarkesat.

Ka pasur dhe ndërhyrje të jashtme në rrjet që kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë. Në zonën ku janë bërë ndërprerjet e energjisë ndodhet një pjesë e madhe e institucioneve qendrore shtetërore.

Specialistët e OSHEE e shpjegojnë me mbingarkesën në rrjet defektet që ndodhin, por deri më tani investimet që janë bërë në rrjet nuk e kanë zgjidhur problemin.

Edhe dje kanë ndodhur shkëputje të energjisë në këtë zonë, në një kohë kur nga OSHEE thuhet se janë investuar 150 milionë euro për të përmirësuar rrjetin e shpërndarjes.

Por këto shpenzime, të cilat paguhen nga qytetarët nuk kanë mundur të sigurojnë energji pandërprerje dhe problemet në furnizim vazhdojnë të jenë konsistente.

Top Channel