Takim tripalësh Shqipëri-Itali-Serbi në Beograd. Bushati: Më shumë kujdes për shqiptarët e Preshevës

27/02/2018 17:16

Është zhvilluar në Beograd takimi i tretë i ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë.

Ndër të tjera, Bushati, lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, theksoi mbështetjen e vendosur të Shqipërisë për Dialogun me ndërmjetësinë e BE-së, si instrumenti i duhur për të arritur drejt zgjidhjeve të përbashkëta për një sërë çështjesh të rëndësishme në dobi të jetës së qytetarëve të dy vendeve. “Ky është investimi më i mirë që ofron mundësi reale drejt pajtimit përfundimtar dhe rrugës së përbashkët evropiane”, theksoi Ministri Bushati. Më tej ai kërkoi nga pala serbe vullnet real dhe angazhim të vendosur politik për çështje që përfshijnë kufizimet dhe pengesat për tregun e energjisë, gjithpërfshirjen dhe anëtarësimin në organizatat rajonale e ndërkombëtare.

Ministri Bushati nënvizoi interesin e posaçëm të qeverisë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke kërkuar më shumë kujdes e vëmendje dhe përfshirje më të madhe në jetën socio-ekonomike të Serbisë, si dhe garantimin e të drejtave tërësore.

Në kuadrin dypalësh, Ministri Bushati evidentoi pasurimin me zhvillime të reja të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal përmes sinergjive për evropianizimin e mëtejshëm rajonit.

Gjatë diskutimeve në takim, ministrat morën në shqyrtim arritjet e kësaj nisme dhe bashkëbiseduan mbi drejtimet e ardhshme të punës në kontekstin e dinamikës së evropianizimit të rajonit tonë. Diskutimet u përqendruan në qasjen e përbashkët e vendeve të rajonit dhe bazuar mbi avokatinë e Italisë për një rigjallërim të politikës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Strategjinë e publikuar së fundmi nga Komisioni Evropian, si një dokument që e vë theksin në jetësimin e ëndrrës integruese të rajonit.

“Axhenda trilaterale ka kontribuar në konsolidimin e bashkëpunimit politik mes vendeve tona, si dhe ka ndihmuar në ndërtimin e një imazhi të ri që bazohet në bashkëpunimin rajonal dhe vënien në jetë të politikave dhe projekteve të BE-së në Ballkan me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Italisë dhe BE-së.”, theksoi Ministri Bushati në ndërhyrjen e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA