S’merr dot certifikatën e pronësisë, ZRPP-ja e Pogradecit regjistron pallatin me 22 (nga 20) apartamente

27/02/2018 20:35

Zonja Eleze Andrea, banore e qytetit të Pogradecit, prej 25 vitesh ka paguar apartamentin ku jeton aktualisht me familjen e saj, të ndërtuar nga Enti i Banesave para viteve ’90.

Me përfundimin e kësaj kredie, në muajin maj të vitin 2015, zonja nisi të kërkojë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Pogradecit, certifikatën e pronësisë, por deri më sot nuk ka mundur ta marrë.

Shkaku është se, pallati në të cilën jeton zonja Andrea, në Hipotekën e Pogradecit figuron me 22 apartamente, ndërkohë që në realitet ka vetëm 20 të tilla. Ky absurditet e pengon zonjën të pajiset me certifikatën e pronësisë.

Kalvari i shkresave nga ZRPP-ja e Pogradecit dhe anasjelltas, nga Drejtoria Rajonale e Entit të Banesave Korçë dhe Zyrës Qendrore të ZRPP-së, ka më se dy vite dhe nuk po jepet një zgjidhje. Banorë të tjerë të pallatit janë pajisur me certifikata pronësie, ndërsa zonja dhe pak të tjerë jo.

Nëpunësi i ZRPP-së Pogradec, Alban Turshinka shprehet për “Fiks Fare” se zyra e tij i është drejtuar Drejtorisë Rajonale të Entit të Banesave Korçë, që prej datës 10 nëntor të vitit 2016, por nuk kanë marrë përgjigje dhe problemi qëndron tek ata.

Por nuk është i të njëjtit mendim drejtori i Drejtorisë Rajonale Korçë, Ilirjan Kosta.

“Nga ana e institucionit që unë drejtoj nuk ka asnjë problem, sepse kjo është pronë e hipotekuar që në vitin 1996. Kam shkuar disa herë në ZRPP-në e Pogradecit për këtë çështje, por ata kanë ngatërruar numrin e apartamenteve. Pra, problemi qëndron te ZRPP-ja Pogradec”, tha Kosta.

Gazetarët e “Fiks Fare” u rikthyen në ZRPP-në Pogradec. Nëpunësi i kësaj zyre, zoti Turshinka, pas përgjigjes së DREB-së Korçë, sipas së cilës gabimi është në ZRPP-në e Pogradecit, u shpreh se këtë javë do të zgjidhet problemi i zonjës.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA