Mazhoranca mbron Arta Markun, rrëzon propozimin e opozitës për ndërprerjen e mandatit

27/02/2018 10:58
Foto LSA

Këshilli i Legjislacionit nuk e kaloi propozimin e Partisë Demokratike për ndryshime kushtetuese për çështjen e prokurorit. Propozimi u rrëzua me 6 vota pro dhe 8 kundër.

Tashmë çështja do t’i kalojë seancës plenare, ku do të paraqiten raportet e relatorëve, përfshi dhe mendimin e pakicës.

Në seancë plenare, që amendamentet e PD të miratohen nevojitet një mazhorancë prej 2/3, ose 94 vota. Amendimet e PD, të mbështetur edhe nga LSI, propozojnë shkarkimin e menjëhershëm të Arta Markut, që opozita thotë se është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese dhe pa kaluar procesin e vettingut, në seancën e 18 dhjetorit.

“Duhet t’i ndërpresim mandatin kryeprokurores. Askush nuk e di nëse kryeprokurorja aktuale e kalon vettingun”, deklaroi Bylykbashi.

Zgjidhja, sipas deputetit demokrat është ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më pas zgjedhja e kryeprokurorit të përkohshëm, pasi të ketë kaluar vettingun.

“Ky është një test për mazhorancën nëse e do drejtësinë të pavarur apo jo”, vijoi Oerd Btlykbashi.

Ulsi Manja nga socialistët foli për një vakancë të Kushtetutës sa i takon dispozitave tranzitore në rastin e zgjedhjes së kryeprokurorit.

“Shqipëria sot ka Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur sipas Kushtetutës, që ushtron detyrën deri në zgjedhjen e prokurorit të ri konform Kushtetutës. Nuk jemi në konflikt me Kushtetutën. Kuvendi është në respektim të Kushtetutës dhe të ligjit. Dispozita tranzitore e Kushtetutës nuk e ka zgjidhur rastin e vakancës së krijuar në mbarimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, siç e ka zgjidhur për organet e tjera kushtetuese. Këtë e ka bërë ligji numër 97, 2016 për prokurorinë”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA