Familjet e përjashtuara nga ndihma ekonomike i ankohen Bashës: Çojmë fëmijët pa bukë në shkollë

27/02/2018 16:48

Familja e Kastriot Mihanit është një prej disa familjeve që vizitoi Lulzim Basha në Kavajë, e përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike.

Siç bën me dije Partia Demokratike, e cila shpërndau edhe pamjet, Kastrioti është baba i dy fëmijëve dhe bashkëshortja e tij është me probleme mendore.

Basha: Ai (Edi Rama) thotë që ju preferoni 60 mijë lekëshin e ndihmës në vend që të merrni 200-300 mijë lekë rrogë.

Kastriot Mihani: Ore vëlla, gjeje ku, të më ofrojë punë, atëherë po. Po nuk shkova me punu, le ta heqë ndihmën. Unë jam njeri që punoj kudo. Si e heq përkrahjen pa lidhje? Çfarë do të hanë kalamajtë? Kanë ikur kalamajtë pa bukë sot në shkollë.

Fatmira Shima: Jemi të gjithë copë -copë. Kështu jepet jepet e drejta, shkon Edi Rama e heq asistencën robve, iu heq bukën e gojës? Sa merrsha unë?! 16500 lekë, me atë do të mbaja familjen time, gocën që kam sëmurë, burrin që e kam çuar në azil nga zori. S’kam të ardhura fare. Edhe fëmijët i kam gjysëm robi.

Me bashkëshortin në burg për dhunë në familje, Liljana Eminaj rrit dy fëmijë të mitur.

Basha: Të hoqën nga lista pa e parë shtëpinë fare?

Liljana Eminaj: Asnjë s’erdhi.

Basha: S’të kanë dhënë asnjë shpjegim pse të hoqën ëëë? Po me çfarë jetoni tani, fëmijët me çfarë i mbani?

Liljana Eminaj: Del çuni me mbledh kanaçe.

Basha: Sa vjeç është çuni?

Liljana Eminaj: 13 është.

Partia Demokratike thotë se janë 20 mijë familje të përjashtuara nga skema e re e ndihmës ekonomike dhe me 15 mars do të zhvillohet në Parlament mocioni me debat me kryeministrin, kurse vetë kryeministri ka premtuar se nëse ka raste të padrejta të përjashtimit nga skema e ndihmës ekonomike, këto raste do të korrigjohen.

Top Channel