Shqipëria u është bashkuar institucioneve kryesore financiare europiane që paralajmërojnë qytetarët për rrezikun e monedhave virtuale.
Autoriteti Europian i Titujve dhe i Tregjeve (ESMA), Autoriteti Europian Bankar (EBA) dhe Autoriteti Europian i Sigurimeve dhe i Pensioneve prej Punësimit paralajmërojnë konsumatorët në lidhje me rreziqet e mëdha të blerjes dhe ose mbajtjes së të ashtuquajturave Monedha Virtuale.
Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin e këtyre tre institucioneve.
“Monedhat virtuale që ekzistojnë aktualisht janë përfaqësimi dixhital i një vlere, që as nuk është e emetuar dhe as nuk është e garantuar nga një bankë qendrore, apo autoritet publik dhe nuk e kanë statusin ligjor të monedhës apo parasë. Ato janë tejet të rrezikshme dhe përgjithësisht nuk janë të mbuluara nga aktive të trupëzuara dhe nuk rregullohen nga legjislacioni i BE-së. Rrjedhimisht, ato nuk u ofrojnë konsumatorëve mbrojtje ligjore”, thuhet ndër të tjera në këtë raport të BE-së.
Te tre autoritetet shprehin shqetësimin për faktin se një numër gjithmonë e më i madh konsumatorësh po blejnë monedha virutale, veçanërisht me pritshmërinë se vlera e tyre do të vazhdojë të rritet, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun e lartë se ata mund të humbasin paratë që kanë investuar.
Por, pse blerja e këtyre monedhave është me rrezik për konsumatorët?
Të tria Autoritetet rendisin një sërë arsyesh. Së pari, luhatshmëria ekstreme dhe rreziku i fluskës së çmimit. Së dyti, mungesa e një mekanizmi mbrojtës dhe mundësia që këto monedha virtuale të përdoren për pastrim parash është e lartë. Së katërti, mungesa e një mekanizmi dalës. Autoritetet e BE thonë se nëse vendosni të blini monedha virtuale, rrezikoni të mos jeni në gjendje t’i tregtoni apo t’i këmbeni ato në monedha tradicionale dhe së pesti renditet mungesa e transparencës së çmimit të tyre.
Në korrik të vitit të kaluar Bankës së Shqipërisë pranoi se fenomeni i qytetarëve që investojnë në para virtuale është i pranishëm edhe në vendin tonë.
Në atë kohë, BSH këshillonte qytetarët dhe bizneset që të mos investojnë në monedha virtuale, pasi ka shumë rreziqe.
“Kursi i këmbimit mund të ndryshojë shumë shpejt, është e paqëndrueshme dhe është një monedhë e cila nuk ka një zot. Nëse paraja konvencionale emëtohet nga bankat qendrore, BitCoin, apo monedha virtuale të tjera nuk kanë një institucion që merr përsipër garantimin e tyre”, deklaronte për Top Channel, Deniz Dërralla, drejtor i Mbikëqyrjes në BSH.
Top Channel