Stuhi dëbore në Itali, erërat siberiane sjellin ngrica deri në mesjavë

26/02/2018 10:36

Erërat e ngrira siberiane mbërritën në Itali me furinë e parashikuar, duke ulur në mënyrë të ndjeshme temperaturat, e duke bërë që shkollat e kopshtet në Romë të qëndrojnë të mbyllura ditën e hënë.

Në zonat e veriut, thellimi është shoqëruar edhe me reshje dëbore, e nga sa pohojnë meteorologët, i ftohti do të vazhdojë edhe përgjatë ditëve në vijim, duke pushtuar ngadalë qendrën e vendit për të zbritur më pas në jug.

Rreziku i dëborës është i lartë edhe për Romën vet. Deri të martën, institute të ndryshme do të mbyllin dyert edhe në zonën e Campanias, si dhe provincat e Frosinones, Rietit e Perugias.

Një luhatje kaq e fortë e termometrit është e pazakontë për këtë periudhë të vitit, pohon shtypi vendas, i cili përmend edhe dëmet e regjistruara tashmë. Erërat e dhunshme përmenden si ndër arsyet e rrëzimit të një shtylle metalike të sinjalistikës rrugore në urën e Libertas, në Venezia, që bllokoi këtë mëngjes qarkullimin në rrugë duke paralizuar përkohësisht qytetin.

Fatmirësisht, nga incidenti nuk pati të lënduar. Dëbora ka goditur edhe Toscanan, Ligurian dhe Piemonten. Në Aeroportin e Fiumicinos, prania e saj ishte shqetësuese. Një udhëtare nga Shqipëria përcolli pamjet që tregojnë situatën atje.

Departamenti i Mbrojtjes Civile lëshoi një paralajmërim për kushtet e vështira atmosferike, të cilat pritet të vazhdojnë me thuajse të njëjtin intensitet të pakten deri të mërkurën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA