Shqipëria, memorandum me BERZH për nxitjen e kreditimit në lekë

26/02/2018 19:12

Këtë të hënë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nënshkroi, në emër të Bankës së Shqipërisë, memorandumin e mirëkuptimit për nxitjen e bashkëpunimit për përdorimin e monedhës kombëtare dhe zhvillimin e tregut lokal të kapitalit në Shqipëri, midis Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Memorandumi synon të përmirësojë kreditimin në lekë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nëpërmjet një programi specifik që BERZH-i ka për këtë qëllim. Programi i BERZH-it mund të ofrojë financim për këto ndërmarrje me kushte konkurruese, sipas politikave e procedurave të saj. Gjithashtu, programi nëpërmjet koordinimit me autoritetet kombëtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në bashkëpunim me organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë financiarë, nxit një mjedis pozitiv për kreditimin në monedhën vendase.

Për sa i përket zhvillimit të tregut të kapitalit, memorandumi përmban dhe një plan veprimi, ku palët (BERZH, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë), angazhohen për veprime të mëtejshme konkrete në këtë fushë.

Lidhur me memorandumin, Guvernatori Sejko u shpreh se: “Roli ekskluziv që Banka e Shqipërisë ka si autoritet monetar dhe mbikëqyrës mbështetet konkretisht nga kjo marrëveshje. Angazhimi i palëve për të bashkëpunuar për përshpejtimin e zhvillimit të tregut shqiptar të kapitalit, duke forcuar përdorimin e monedhës vendase, përveç punës në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe qeverisjes, si dhe zgjidhjes së çështjes së kredive me probleme, do të ketë një ndikim pozitiv në përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare, si dhe reduktimin e rreziqeve të stabilitetit financiar për vendin”.

Ky memorandum u nënshkrua gjatë Samitit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Londër. Samiti organizohet çdo vit nga Presidenti i BERZH-it, SirSumaChakrabarti dhe mbledh në një tryezë diskutimi 6 kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë.

Gjatë samitit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, pati rastin të zhvillojë takime me përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe me përfaqësues të tjerë të institucioneve financiare ndërkombëtare për të diskutuar mbi zhvillimet makroekonomike të Shqipërisë, potencialet për investime që ofron ajo, si dhe bashkëpunimin e ardhshëm me këto institucione për projekte të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA