Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i shoqëruar nga Komisioneri Europian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, nisën në Shkup turin në rajon për promovimin e strategjisë për zgjerim në BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Komisionit Europian nuk ka dhënë një datë për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, por ka thënë se vendi është në rrugë të drejtë.

I shoqëruar nga eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Hahn, ai prezantoi strategjinë e BE për zgjerimin. Presidenti i Komisionit Evropian tha se Maqedonia ka bërë kohët e fundit shumë reforma impresionuese.

Juncker, ndërkohë nuk ka preferuar të flasë për çështjen e emrit, duke thënë se ajo duhet zgjidhur nga Maqedonia dhe Greqia.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, kryeministri Zoran Zaev falenderoi zyrtarët e BE që zgjodhën Maqedoninë si etapën e parë të turit të tyre ballkanik. Ai u shpreh i bindur ndërkohë se në qershor, vendi do të nisë bisedimet për anëtarësim në BE.

Maqedonia është ndalesa e parë e delegacionit të lartë europian.

Pasdite, presidenti i Komisionit Europian mbërrin në Tiranë. Më herët këtë muaj, Komisioni Europian publikoi strategjinë e re për integrimin e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës në BE.

Në mesin e këtyre vendeve, Serbia dhe Mali i Zi janë përmendur si vendet më të afërta për t’u anëtarësuar në bllok deri më 2025, nëse i plotësojnë të gjitha kushtet.

Top Channel