Edhe Shtëpia e të Moshuarve përfshihet në mbjelljen e pemëve

25/02/2018 14:13

Aksionit të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve në kryeqytet i janë bashkuar edhe të moshuarit e Shtëpisë së të Moshuarve te “Ali Demi”, të cilët, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbollën 10 pemë mimozash në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.

“Janë kryesisht njerëzit e thjeshtë. Ata që kanë më pak, japin më shumë. Sot i jemi mirënjohës çdo kompanie që ka dhuruar pemë, po kur mendon që Shtëpia e të Moshuarve na jep 10 mimoza, pra gjithçka që kishte, na bën të kuptojmë se bujaria, zemërgjerësia, dashuria, nuk varet nga sa ke, por nga sa do të japësh”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se nëse ecet me këto ritme, objektivi për mbjelljen e 100 mijë pemëve brenda 21 marsit do të tejkalohet, ndërkohë që po krijohet një trend i ri.

“Nëse do të vazhdojmë me këto ritme, jo vetëm që do ta kalojmë më datën 21 mars, por do të kemi filluar realisht një trend. Ashtu si në vitet ‘90 ishin trend kafet, llotot, bastet, sot po fillon një trend i ri: gjelbërimi, biçikletat, sporti. Nëse do të vazhdojmë kështu, do të jemi realisht europianë, siç dëshirojmë të jemi”, nënvizoi Veliaj.

Top Channel