Administrata amerikane e Trumpit dhe aleatët kyç në Azi po përgatiten të zgjerojnë kontrollet e anijeve të dyshuara se po shkelin sanksionet ndaj Koresë së Veriut.
Një plan që mund të përfshijë edhe dislokimin e forcave të Rojes Bregdetare amerikane për të ndaluar e kontrolluar mjetet lundruese në ujërat e Azi-Paqësorit, thonë zyrtarë të lartë amerikanë.
Uashingtoni ka biseduar me partnerët rajonalë, përfshi Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Singaporin, në lidhje me koordinimin e një përshkallëzimi të goditjes së lëvizjeve të dyshimta, që mund të shkojë më larg se kurrë më parë për të penguar shfrytëzimin e tregtisë detare nga Peniani për të “furnizuar” programin e tij të raketave bërthamore.
Edhe pse kërkime anijesh të dyshuara janë kryer edhe më parë, strategjia e fundit mund të zgjerojë fushëveprimin e operacioneve të tilla, duke u përafruar shumë me atë që mund të ishte vendosja e një bllokade detare në Korenë e Veriut. Peniani ka paralajmëruar më herët se mund ta konsiderojë një bllokadë të tillë si një akt lufte.
Strategjia bën fjalë për ndekje nga afër e ndoshta edhe sekuestrimin e anijeve të dyshuara se mund të mbajnë pjesë përbërëse armësh bërthamore të ndaluara, apo edhe ngarkesa të tjera të palejueshme drejt ose nga Koreja e Veriut, sipas asaj që bëjnë të ditur zyrtarët për “Reuters” në kushte anonimiteti.
Në varësi të shkallës së kësaj fushate, Shtetet e Bashkuara mund të marrin në konsideratë edhe forcimin e fuqisë detare e ajrore të Komandës së Paqësorit. Nisma e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara tregon urgjencën gjithnjë e në rritje të Uashingtonit për të detyruar Korenë e Veriut të ulet në negociata për braktisjen e programeve të saj të armatimeve.
Top Channel