Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e shtunë me një takim me drejtues të administratës qendrore dhe vendore të Beratit, ku ndodhet prej ditës së djeshme, kur u bë edhe mbledhja e fundit e qeverisë.
Në këtë takim, kryeministri ka folur mbi shërbimet administrative për qytetarët, reformën e ujit dhe për skemën e re të mbështetjes financiare për fermerët.
“Kemi bërë të qartë për të gjitha agjencitë e shërbimeve ndaj qytetarëve se çdo dokument çfarëdo është absolutisht detyrim i çdo zyre që të mos e refuzojë apo vonojë duke kërkuar nga qytetarët që të shkojnë në zyra të tjera për dokumentet përkatëse, për kërkesat e tyre. Autorizimet, licenca, certifikatat e caktuara që vërtetojnë këtë apo atë, duhen edhe disa dokumente të tjera, këto duhet t’i garantojë vet zyra përkatëse brenda për brenda sistemit të administratës shtetërore. Qytetarët duhet të marrin vetëm dokumente bankare apo në lidhje me të shkuarën e tyre në emigracion. Kjo nuk po kthehet ende në një sistem në të gjithë vendin, ndaj në mbledhjen e djeshme të qeverisë është kërkuar të merren masa për këtë”, tha Rama.
“Së dyti kemi një progres të konsiderueshëm sa i përket gatishmërisë së shtetit dhe administratës për të ofruar shërbime dixhitale, online. Sot garantohet jo vetëm komunikimi në kohë reale, por edhe përgjigjja në kohë reale për qytetarët. Janë shumë dokumente që mund të merren drejtpërdrejt nga shtëpia, duke filluar nga certifikata e lindjes. Duke bërë kështu të mundur një ulje të kostos, por edhe rritjen e mëtejshme të numrit të qytetarëve që mësojnë njëherë e mirë se nuk ka më nevojë të torturohen për certifikata. Po kështu edhe vërtetimet e tatimeve mund të merren online nga sistemi i “e-albania”-s, që u kanë kursyer të interesuarve shumë orë pritjeje”, shtoi më tej kryeministri.
Më tej, kryeministri është ndalur edhe te reforma e ujit, ku për Qarkun e Beratit ka theksuar se ka progres, por ka kërkuar që të gjithë të kontribuojnë e të bëjnë më shumë që të mos lejohen më lidhje të paligjshme, e pse jo edhe të sigurohet furnizimi me ujë 24 orë në ditë për qytetarët.
“Nuk do të japim asnjë qindarkë për asnjë ndërmarrje ujësjellësi, që nuk performon siç duhet në kuadër të reformës së ujit. Nuk do të ketë më asnjë lloj investimi të natyrës elektorale, apo shpërndarje investimesh pavarësisht performancës”, deklaroi Rama, duke iu garantuar kryetarëve bashkiakë të pranishëm të gjithë mbështetjen për vënien para përgjegjësisë të atyre që nuk e kanë marrë vesh se furnizimi i paligjshëm me ujë të pijshëm përbën vepër penale.
Tema e tretë kishte të bënte me skemën e re të mbështetjes financiare për fermerët.
“Është shumë e rëndësishme që çdo individ që paguhet nga taksat e qytetarëve për të përfaqësuar në çdo qark, për të informuar dhe për të ndikuar pozitivisht te fermerët sesi mund të kenë qasje në këto fonde. Ne nuk do të shpërndajmë më lëmosha mbijetese apo politike për njerëzit që jetojnë e punojnë në fshat. Nuk do ta thërmojmë më për shpërndarje parash lart e poshtë duke mos marrë atë që duhet në funksion të vlerës së shtuar. Çdo fermer është i lirë të bëjë çfarëdo, por jo çdokush do të mbështetet nëse bën çfarëdo. Kulturat e duhura do të mbështeten, përtej tyre s’do të ketë asnjë kacidhe”, deklaroi Rama.
Top Channel