Ethet e zgjedhjeve në Itali, manifestime e përleshje në Milano

24/02/2018 18:56

Milano u përfshi nga trazirat të shtunën, kur grupe antifashiste u përleshen me policinë. Protestuesit që zhvilluan një marshim nga kështjella deri tek katedralja e qytetit, mbanin slogane kundër ekstremistëve.

Ndërkaq, lideri i Lega Nord, Mateo Salvini arriti të grumbullonte mijëra mbështetes në sheshin Duomo të Milanos në manifestimin e mbajtur në prag të zgjedhjeve të 4 marsit.

Salvini e ka larguar partinë nga qëllimi i asaj fillestar për të siguruar pavarësinë e Veriut të pasur drejt euroskepticizmit dhe politikës kundër emigrantëve. Lega Nord është pjesë e koalicionit të qendrës së djathtë, që parashikohet të fitojë më shumë vende në Parlament.

Mbrëmjen e së premtes protestuesit u përpoqen të pengonin fjalimin e Salvinit në Piza, duke gjuajtur me shishe qelqi dhe sende të tjera efektivët e policisë. Një tjetër manifestim u organizua nga të djathtët e Fratelli d’Italia, ku morën pjesë mbi 100 aktivistë që valvisnin një flamur 200 metërsh të gjatë të Italisë dhe thërrisnin ‘rindërtoni rrugët tona”.

Në Romë, një protestë e madhe kundër racizmit u zhvillua në mënyrë paqësore me pjesëmarrjen e disa anëtarëve të qeverisë, përshirë kryeministrin Paolo Gentiloni.

Parashikimet e zymta ekonomike dhe shqetësimet për emigracionin në rritje i dhanë jetë një fushatë toksike elektorale, mes frikës për rigjallërimin e ndesive neofashiste. Tensionet në vend u rritën ndjeshem gjatë 2 javëve të fundit, pasi Salvini premtoi deportime masive të refugjatëve nëse do të fitojë zgjedhjet.

Sondazhet sugjerojnë përparësinë e koalicionit të qendrës së djathtë të Silvio Berluskonit, ndërsa lëvizja e 5 yjeve është partia më popullore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA