Mbjelljes se pemëve në Tiranë i janë bashkuar edhe administratorët e pallateve në zonën e Astirit. Aksioni ka për qëllim mbjelljen e pemëve nëpër lagjet e banimit.

“Jam shumë i lumtur sot që, në këto pallate të reja, me njerëz që kanë ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, po ndërtohet një komunitet. Sikur të 5 mijë pallatet e Tiranës të mbjellin nga dhjetë pemë, do të kishim 50 mijë pemë në oborret e lagjeve tona”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Për kryebashkiakun Veliaj kur vjen puna tek qyteti nuk njeh ndasi partiake.

“Njerëzit këtu mund të kenë bindje të ndryshme politike, por kur vjen puna tek gjelbërimi jemi në një parti, te partia e oksigjenit, partia e pemëve, e fëmijëve dhe e të ardhmes së këtij qyteti. Në Tiranën tonë që shtohet çdo ditë me 70 vetë, me nga 6-7 mijë apartamente, nuk e ndalojmë dot këtë trend, por mund të ndalojmë degradimin që kemi pasur më parë”, vijoi ai.

Në fund, Veliaj ftoi të gjithë banorët e Tiranës që t’i bashkohen aksionit të bashkisë për festat e marsit, që paraprin atë të datës 21 dhe të fundit për mbjelljen e pemëve.

“Teksa afron 7-8 Marsi kemi të tjera arsye për të mbjellë pemë, qofshin kjo për nënat, për motrat, për mësuesit. Ndaj, dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, sikur secili të bëjë atë minimumin e vet, bëhet 1 milionëshi i madh me kontributin e secilit”, apeloi kreu i Bashkisë së Tiranës.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA