Ish-rruga nacionale në Vorë, e degraduar. Shoferët ngrenë alarmin

23/02/2018 20:35

Një rrugë prej vetëm 1.1 km në Vorë, e quajtur “Rruga e vjetër nacionale”, prej dy vitesh është kthyer në një tmerr të vërtetë për përdoruesit e mjeteve.

Në “Fiks Fare” u ankuan disa përdorues të kësaj rruge të tonazhit të rëndë dhe të lehtë, për gjendjen tejet të amortizuar të saj, gjë që sillte dëmtime të mjeteve dhe trafik të rënduar.

Dikur, këto mjete kalonin nga rruga e Vorës, ku sot është dhe ura e këtij qyteti. Por, kjo urë tashmë është amortizuar dhe për këtë arsye, Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi të pengojë lëvizjen e mjeteve të rënda në këtë urë, e u vendos që lëvizja të bëhet nga rruga e vjetër nacionale.

Gazetarët e “Fiks Fare” iu përgjigjën ankesës, duke e parë nga afër problemin. Fluksi i mjeteve të rënda që kalojnë në këtë rrugë është i madh, pasi të gjitha mjetet që duhet të kalojnë për në veri apo e anasjellta, të shkojnë në Doganë për t’u çdoganuar, duhet të kalojnë vetëm në këtë aks rrugor.

Si rrjedhojë e kësaj ngarkese, rruga është amortizuar tej mase, aq sa gropat e mëdha të hapura në të bëhen pengesë edhe për maunet. Të irrituar, shoferët shprehen para kamerës së “Fiks Fare” se kjo është rruga më e keqe që ata janë detyruar të kalojnë, e se nuk kanë qenë të pakta rastet kur mjetet e tyre kanë pësuar dëmtime.

Hera e fundit që kjo rrugë është rehabilituar ka qenë në vitin 2014, kur është shtruar me asfalt dhe është meremetuar.

Gazetarët iu drejtuan Bashkisë së Vorës për të marrë një informacion më të saktë lidhur me këtë aks. Drejtori i Urbanistikës në këtë bashki, z. Luan e njeh mirë problematikën, por shton se ajo administrohet nga ARRSH-ja.

Ai pohon për “Fiks Fare” se kjo bashki, para një viti ka bërë një kërkesë pranë ARRSH-së, në të cilën kërkohej ndërhyrje urgjente në këtë rrugë. “E vetmja gjë që mund të bëjmë ne si bashki është të hedhim të paktën çakull, sa për të minimizuar stresin e shoferëve”, përfundon drejtori i Urbanistikës.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA