Një kompani italiane ka nisur aktivitetin në Shqipërin në sektorin automotiv. Vetë ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj vizitoi kompaninë Maibe në Vorë.
Kompania, e cila erdhi për herë të parë në Shqipëri në gusht 2017, filloi aktivitetin brenda një kohe shumë të shkurtër, në muajin dhjetor. Produkti ekpsortohet në të gjithë vendet e botës, në Europë, Azi e Amerikë.
“Këtu jemi në një fabrikë të re, të ndërtuar nga grupi Martinetto, të cilët prodhojnë produkte specifike për industrinë automotive. Kanë vetëm dy muaj që kanë filluar. Siç e shikoni, industria është pothuajse e gjitha robotike, pra nuk është nga ato industri ku punësohen me qindra e me mijëra, por është nga ato industri që kanë vlerë të shtuar serioze për ekonominë shqiptare. Është realisht një nga dy prodhuesit e këtyre produkteve specifike në botë. Për ta shpjeguar, janë fijet metalike të guarnicioneve të makinave dhe sigurisht që janë vetëm për eksport, për eksport në Japoni, për eksport në Australi, për eksport në Amerikë, madje përfitojnë edhe nga marrëveshja e tregtisë së lirë që ne kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo dhe diku tjetër në Europë”, u shpreh Ahmetaj.
I pyetur se sa kanë ndikuar lehtësitë e ofruara nga qeveria për ardhjen në Shqipëri të kompanisë italiane, Ministri Ahmetaj tha:
“Patjetër është lehtësia që ne kemi krijuar me heqjen e TVSH së makinerive dhe pajisjeve, është imazhi i mirë i përmirësuar i Shqipërisë, është dëshira për të mësuar. Më thane që nuk kanë ardhur këtu për koston e lirë të fuqisë punëtore, përkundrazi. Janë këtu për arsye të tjera, që nga ambientit i të bërit biznes, që nga afërsia me tregjet, që nga sistemi tatimor, që nga lehtësia e futjes së makinerive dhe pajisjeve, etj. Realisht ndihem shumë i kënaqur që pashë diçka të kësaj natyre specifike që rrit gamën e eksporteve shqiptare”, tha Ahmetaj.
Top Channel